Ditën e sotme kryeministri Edi Rama dhe Negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta kanë mbajtur një konferencë për mediat për të folur se ku qëndron sot Shqipëria në fushën e prokurimeve publike, si rezultat i një reforme modernizuese antikorrupsion.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se progresi i Shqipërisë në këtë sektor vlerësohet objektivisht edhe nga partnerët europianë, ndërsa solli në vëmendje të dhëna nga një raport i detajuar i Gjykatës Europiane të Llogarive për vendet e Bashkimit Europian.
Sipas tij, raporti evidenton rënie të konkurrencës në prokurimet publike në shumë vende të BE-së, ndërsa Shqipëria paraqitet me tregues më pozitivë në disa fusha kyçe.
Kryeministri theksoi gjithashtu se numri mesatar i ofertuesve për procedurë në Shqipëri është 3.7, krahasuar me mesataren 3.2 të raportuar nga Gjykata Europiane e Llogarive për vendet e Bashkimit Europian.
Edi Rama:
“Janë disa fjalë që mund të tingëllojnë sikur fliten për Shqipërinë, por janë fjali të nxjerra nga një raport i detajuar i Gjykatës Europiane të llogarive për vendet Bashkimit Europian lidhur me prokurimet publike.
Për treguesit kyç për matjen e konkurrencës që mbeten të pakënqashme në shumicën e shteteve anëtare.
Nëse e vendosim në kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët kryesorë që përcakton BE për konkurrueshmërinë, po të shohim tabelën, nëse në mesatare kontratat me një ofertues të vetëm janë 32.3% të kontratave në vendet e BE-së, për Shqipërinë ato janë në masën 23.3%. Nëse në listën e vendeve anëtare ka shumë vende që fillojnë nga 57% e zbresin deri në 38%, Shqipëria është midis tyre dhe vendeve si Suedia apo Gjermania. Vendi ynë është mbi këto, me shumë pak pra, 23.5%.
Edhe në numrin e ofertuesve për procedura, që raporti e përcakton si 3.2 ofertues, Shqipëria është me 3.7 ofertues mesatarisht dhe më tutje në Shqipëri, në vitin 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur me fitues dhe kanë pasur vetëm një ofertues është 12%, ndërkohë që mesatarja e BE-së është 14%.
Të gjitha këto nuk thonë asgjë më shumë e asgjë më pak se fakti që Shqipëria është në një fazë shumë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe, nga ana tjetër, në pozicionin e saj në tryezën e negociatave me BE”.
