Bordi i Transparencës është mbledhur më këtë mërkurë, ku ka miratuar vendimet e radhës për çmimet tavan të shitjes së karburanteve në tregun vendas.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë për nënproduktin gazoil, i standardit SSH EN 590, përcaktohet të jetë jo më shumë se 203 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 191 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i shitjes me pakicë për benzinën, të standardit SSH EN, përcaktohet jo më shumë se 180 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë për litër.
Vendimi hyn në fuqi sot, më 29 prill 2026, në orën 11:30, dhe do të mbetet i vlefshëm deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës, ku do të shqyrtohen ndryshimet eventuale të çmimeve.
Autoritetet kanë tërhequr vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh të konstatuara do të merren masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë deklaruar se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.
Në sqarimin shoqërues, referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin tejkalon 220 lekë për litër, ose për benzinën tejkalon 200 lekë për litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Megjithatë, bazuar në metodologjinë aktuale të llogaritjes së çmimeve tavan, çmimet e përcaktuara ndodhen nën kufirin e përcaktuar në aktin normativ, çka nënkupton se për karburantet do të vijojë të aplikohet niveli i plotë i akcizës, në masën 100%.
