Ballakumja e Elbasanit shpallet trashëgimi kulturore jomateriale

Riti tradicional i përgatitjes së ballakumes, ëmbëlsirës ikonë të trevës së Elbasanit, është shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale. Kjo njohje vlerëson rëndësinë e saj si simbol autentik i identitetit dhe traditës kulinare shqiptare, i lidhur ngushtë me festën e Ditës së Verës dhe përkujdesjen e brezave për ruajtjen e recetës origjinale.

Familjet elbasanase kanë ruajtur me përkushtim recetën dhe pajisjet tradicionale qindravjeçare të gatimit. Kreshnik Kaliqi, mjeshtër i ballakumes prej gati 40 vitesh, tregon se kusia e tij është 250-vjeçare dhe ruhet me fanatizëm si trashëgimi nga stërgjyshja, ndërsa përgatitja bëhet sipas traditës, me miell misri, gjalpë dhe vezë fshati.

Vendimi i Ministrisë së Kulturës shihet si një vlerësim për stërgjyshet që kanë ruajtur këtë traditë mbi 400 vjet. Për banorët e Elbasanit, Dita e Verës nuk mund të imagjinohet pa këtë ëmbëlsirë, e cila vazhdon të përfaqësojë trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë autentike të zonës.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.