Bashkimi Evropian do të akordojë 2 milionë euro për të mbështetur popullin e Kuba, i cili po përballet me një krizë gjithnjë e më të rëndë energjetike dhe ekonomike.
Lajmi u konfirmua nga Komisioni Evropian, ndërsa komisionerja për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi se BE qëndron pranë qytetarëve kubanë në këtë periudhë të vështirë.
“BE është në krah të popullit të Kubës në këtë moment nevoje”, u shpreh ajo.
Kuba prej vitesh përballet me një krizë të thellë ekonomike, e cila është përkeqësuar ndjeshëm gjatë tre muajve të fundit, kryesisht për shkak të embargos së naftës të vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Situata u rëndua edhe më tej në janar, kur vendi humbi aleatin dhe furnizuesin kryesor të karburantit, pas zhvillimeve që përfshinë presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro. Caracas kishte qenë furnizuesi kryesor i Kubës me karburant për rreth 25 vite.
Sipas Komisionit Evropian, fondet do të shpërndahen përmes organizatave humanitare dhe do të përdoren për furnizime me ushqime dhe shpërndarje të ujit të pijshëm.
Në një vend që përballet me mungesa të mëdha dhe krizë energjetike, kjo mbështetje pritet të ndihmojë në sigurimin e ndihmës jetike për deri në 2 milionë persona në nevojë.
Ky financim i shtohet edhe 4 milionë eurove të tjera që BE ka miratuar më herët për rajonin e Karaibeve për vitin 2026.
