Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mirditë, pasi dyshohet se i ka vënë qëllimisht zjarrin një sipërfaqeje me shkurre dhe pyje. Sipas Policisë, gjatë ditëve të fundit ai dyshohet se ka ndezur edhe pesë vatra të tjera zjarri në të njëjtën zonë.
Arrestimi i shtetasit me inicialet Anton Deda, banues në fshatin Rraja e Valës, në Njësinë Administrative Rrëshen, u krye në kuadër të fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Piromani 2”.
Policia bëri me dije se 62-vjeçari u kap pas një pune gjurmuese 48-orëshe, e mbështetur në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjen në terren me pajisje dron. Në momentin e ndërhyrjes, ai sapo kishte ndezur një tjetër vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, policia thotë se ka dokumentuar përfshirjen e tij në ndezjen e pesë vatrave të tjera gjatë ditëve të mëparshme. Si pasojë e zjarreve, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh.
62-vjeçari akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Sipas verifikimeve të policisë, ai ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.
Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me Policinë e Mirditës, vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të 62-vjeçarit dhe verifikimin e përfshirjes së tij të mundshme edhe në raste të tjera zjarrvëniesh në territorin e Bashkisë Mirditë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
