“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët”, Begaj mesazh për Vitin e Ri: Shëndet, gëzime dhe mbarësi

Nata e ndërrimit të viteve është një moment reflektimi dhe përkushtimi ndaj personave të afërm.

Ky ishte mesazhi i Presidentit të Republikës Bajram Begaj, i cili me anë të një videomesazhi uroi për qytetarët shqiptarë suksese dhe jo vetëm.

“Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë. Shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm”, tha Presidenti.

Kreu i shtetit, theksoi se Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë dëshmuar ndër vite vullnet për të bërë progres.

“Viti që po mbyllet ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara. Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, tha Begaj.

Nuk harroi të uronte dhe qytetarët e trevave shqiptare.

“Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për  shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Presidenti.

Mesazhin e tij, Presidenti i vendit e mbylli me bekime dhe me mesazhin për të qëndruar sa më pranë njëri-tjetrit.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.