Zjarri në Lushnjë, ministrja Albana Koçiu viziton personat që po marrin ndihmë mjekësore

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka vizituar mbrëmjen e sotme qytetarët të cilët u dërguan për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spital pasi u asfiksuan nga zjarri i rënë në një qendër tregtare në Lushnje.

Ministrja deklaroi se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe sipas stafit mjekësor, deri tani nuk ka asnjë rast të rëndë si pasojë e zjarrit të rënë në këtë godinë.

“Sapo kemi vizituar të gjithë qytetarët që iu drejtuan spitalit në Lushnje. Janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë një pune të ekipit të mjekëve. Çdo gjë është nën kontroll, gjendja paraqitet e qetë, qytetarët kanë marrë mjekimet e nevojshme dhe për momentin nuk kanë asnjë shqetësim”, u shpreh ministrja Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri me dije se “përpara se të vija në spital kam qenë edhe pranë qendrës tregtare”.

“Situata është nën kontroll. Janë evakuuar të gjithë banorët dhe janë forcat e RENEA-s që po kontrollojnë kat më kat. Nga informacionet që kam, të gjithë janë të evakuuar dhe policia e zjarrfikëset janë aty për të vënë situatën nën kontroll”, u shpreh ministrja.

Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu falenderoi dhe shprehu mirënjohje për përpjekjet dhe punën e jashtëzakonshme të efektivëve të Policisë së Shtetit, RENEA-s e zjarrfikësve në përballje me flakët si dhe gatishmërinë e mjekëve dhe infermierëve për të ofruar ndihmë e shpejtë për qytetarët.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.