Është zbardhur një pjesë e dëshmisë së edukatores së kopshtit Majlinda Dehima.
Ajo ka pranuar para unifromave blu se e ka goditur me vizore të miturën, por sipas saj nuk kishte qëllim për ta dëmtuar. Dehima tha se qëllimi i vetëm ishte të bindte vajzën 3 vjeçare që të merrte pjesë në mësim.
Ajo pretendon se më pas e ka dërguar vajzën për të fjetur gjumë dhe nuk ka shfaqur asnjë problem. Kur është zgjuar pas 2 orë e gjysëm, edukatorja tha se e mitura shfaqi shqetësime se ndjente dhimbje.
Në dëshminë e saj, edukatorja tregoi se vajza me shumë mundësi është dëmtuar te krevati, prej hapësirave që ka aty. Sipas Majlinda Dehimës, në dijeni për ngjarjen është vënë edhe drejtoresha e kopshtit.
Deri më tani Zv/shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë dhe 2 nënkomisarë janë pezulluar nga detyra pas dhunimit të 3 vjeçares në një kopsht privat në Tiranë.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit e cila thotë se nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licensuar si institucion arsimor parauniversitar privat.
MAS ka ngritur menjëherë Task-Forcën institucionale për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe policinë e shtetit.