Xhaçka takohet me Dendias në Athinë: Zbardhet çfarë diskutuan

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një vizitë zyrtare me homologun e saj grek, Nikos Dendias në Athinë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaçka shkruan se kanë pasur një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi.

Xhaçka thotë më tej se kanë ndarë të njëjtin vizion e dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ajo shprehet se Shqipëria dhe Greqia janë të përkushtuar të punojnë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit dhe të rajonit.

“Kënaqësi të takoja homologun tim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri-Greqi. Mirënjohje Ministrit Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve tona dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE. Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit”, shkruan Xhaçka.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.