Vuçiç: Nuk kemi lidhje me sulmin! Presidenti serb akuzon kryeministrin Kurti

Miks Albania

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç  ka hedhur poshtë akuzat e Prishtinës zyrtare  se Beogradi ka gisht në sulmin ndaj infrastrukturës jetike në veri të Kosovës.

“Përveç që nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne kemi qenë aq të drejtë dhe si një shtet serioz, nuk jemi marrë me akuza dhe nuk kemi thënë se ai sulm është urdhëruar drejtpërdrejt nga Kurti”, tha Vuçiç.

Vuçiç theksoi  se nga hetimet e deritanishme nga autoritetet serbe janë mbledhur disa informacione se kush mund të jetë autori i sulmit, por nuk dha detaje të mëtejshme.

“Kemi disa dyshime të caktuara, por hetimi do të tregojë se kush e ka urdhëruar. Mendoj se kemi disa njohuri për atë se kush mund të jetë autori i këtij sulmi”, shtoi Presidenti serb.

Vuçiç bëri me dije se ka  ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore.

“I kam ftuar partnerët amerikanë të kontrollojnë pamjet satelitore. Po zhvillojmë hetime edhe në Beograd dhe kemi mbledhur informacione për disa individë, duke u interesuar se ku kanë qenë. Interesi ynë kryesor është të zbulojmë të vërtetën. Më vjen keq për deklaratën e Borellit”, deklaroi Vuçiç.

Presidenti serb u ankua për aksionin e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar si një  shfaqje  për opinionin ndërkombëtar , ndërsa theksoi se  akuzat e Prishtinës janë të pafaktuara.

“Dje ka pasur një tentativë për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj vendit tonë. Duke qenë se kemi ndjekur me kujdes gjithçka që është njoftuar nga zyrtarët e Prishtinës dhe sponsorët e tyre ndërkombëtarë, si dhe mediat e tyre, nuk kemi mundur të dëgjojmë shumë fakte”, tha ai.

Aleksandër Vuçiç pretendon se autoritetet kosovare arrestuan  njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me sulmin dhe për këtë arsye shtatë prej tyre u liruan. Pas sulmit, autoritetet e Kosovës thanë se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur 15 kilogramë eksploziv.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.