Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje, ku një i moshuar është vrarë me armë zjarri në një fshat të Kosovës.
Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:50 në fshatin Kijevë-Malishevë të Kosovës, ku është gjetur pa shenja jete trupi i të moshuarit.
Nga informacionet e policisë dyshohet se autori i krimit të jetë nipi i të moshuarit, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes.
Ndërkohë jozyrtarisht thuhet se autori është një 38-vjeçar, dhe shkak për vrasjen e xhaxhait dyshohen të jenë bërë konfliktet për pronën.
“Sot rreth orës 09:50 është raportuar për një rast vrasje në fshatin Kijevë-Malishevë. Në vendin e ngjarjes, menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore ku është gjetur një person mashkull (i moshës madhore dyshohej pa shenja jete).
Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull i moshës madhore. Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e shtetit në drejtim të veprës penale të vrasjes”, njofton policia.