Vritet me armë zjarri një 42-vjeçar në lezhë. Mësohet se në fshatin Balldre është vrarë me armë zjarri shtetasi Nikolin Marku (Lekstakaj), baba i tre fëmijëve, ndërsa është qëlluar në hyrje të një marketi.
Krimi dyshohet për hakmarrje, pasi sipas informacioneve vrasja ka lidhje me ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje kjo e ndodhur më 19 prill.
Sipas rindërtimit të skenës së krimit, të krijuar dhe nga dëshmitë, viktima ka qenë në një market në Balldre, ku ka blerë një pije freskuese dhe kur ka dale është qëlluar me armë zjarri. Në market nuk ka pasur njeri përveç shitëses, e cila është pyetur nga policia dhe ka dhënë dëshminë e saj.
Sipas saj, një automjet në lëvizje me dy persona brenda ka qëlluar me breshëri plumbash dhe është larguar me shpejtësi. Dyshohet se dy autorët kanë qenë të maskuar, por njëri prej tyre ka pasur rolin e ekzekutorit.