Në një deklaratë për mediat, drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka dhënë sqarime lidhur me menaxhimin e ekipit mjekësor për ngjarjen e ndodhur në Pogradec. Gjatë fjalës së tij, ai ka thënë se nga verifikimet e kryera, ambulanca ka mbërritur për 7 minuta në vendin e ngjarjes, ndërsa i gjithë misioni deri në dërgimin në spital të 42-vjeçarit, Egli Progës është bërë për 20 minuta.
Skënder Brataj: Nga verifikimi që ne kemi kryer, rezulton që në datën 10 Gusht 2024, në orën 19:12 ka ardhur një thirrje nga policia e Pogradecit drejt urgjencës mjekësore ku kërkohej ndërhyrja e shpejtë për një person mashkull që gjendet në rrugë. Ka zgjatur rreth 40 sekonda thirrja. Infermieri i vlerësimit i ka kaluar të dhënat ekipit të Pogradecit në 19:12, pas 2 minutash, ekipi është nisur në vendin e ngjarjes. Në 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes.
Me një vlerësim të menjëhershëm, rreth 2 minuta në vendin e ngjarjes, është parë gjendja e pacientit dhe është vendosur në ambulancë në orën 19:20 dhe i është drejtuar spitalit të Pogradecit. Rezulton që në 11 minuta, pacienti është asistuar nga ekipi mjekësor që kanë bërë masazh dhe ventilim. Na rezulton një total prej 20 minutash, i gjithë misioni, nga kërkesa për ndihmë deri në përfundim të misionit nga ekipi mjekësore. Mbërritja në vendin e ngjarjes është bërë për 7 minuta. Për 7 minuta ka qenë ekipi në vendin e ngjarjes. Në total, për 20 minuta është menaxhuar misioni me një kod të kuq.