Vrasja e dyfishtë në Velipojë, arrestohet i plagosuri dhe një person tjetër

Miks Albania

Dy persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen e mbrëmjes së djeshme në Velipojë, ku ku humbën jetën dy të rinj, Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha. Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi M.P e po ashtu është arrestuar Zyber Zagradi, që u plagos mbrëmjen e kaluar me një plumb në këmbë. Të dy janë përfshirë mbrëmë në përplasjen fizike që përfundoi me dy viktima.

“Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, në Velipojë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit A. H. dhe E. I., ju informojmë se:Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera menjëherë pas ngjarjes:
-Sektori për Hetimin e Krimeve të Renda i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndaloi shtetasin M. P., 29 vjeç, banues në Shkodër;
-në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Lezhës, u ndalua shtetasi Z. Z., 26 vjeç, banues në Dibër.

Këta 2 shtetas, punonjës në një lokal në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja e mbremshme, dyshohet se janë përfshirë në konfliktin ndërmjet shtetasve E. F., G. F., A. H. dhe E. I..

Shtetasi Z. Z., rreth orës 23:20, është paraqitur për të marrë mjekim, në spitalin rajonal të Lezhës, i dëmtuar lehtë në këmbë, me armë zjarri. Ai dyshohet se është plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të strukturave në varësi të saj, të mbështetura nga grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, vijojnë intensivisht kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve E. F. dhe G. F..

Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po kryhen hetime dhe po fiksohet çdo provë që do të mundësojë dokumentimin ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe individualizimin e përgjegjësisë penale së 2 shtetasve të ndaluar”, njofton policia.

Si ndodhi ngjarja 

Ka qenë ora 21:00 kur Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi janë qëlluar me armë zjarri nga dy vëllezërit e identifikuar si Eduart dhe Gëzim Frroku.

Dy të plagosurit janë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës por mësohet se si pasojë e plagëve të marra të dy kanë humbur jetën në sallën e operacionit.

Njëri prej viktimave, Ersild Ishmi ishte i përfshirë në konfliktin e disa javëve më parë në hotelin e dy vëllezërve ku kishte kërcënuar me armë zjarri një kuzhinier e më pas policia e shpalli në kërkim. Kjo sipas, drejtorit të policisë së Shkodrës Edmond Sulaj, ka qenë zanafilla e këtij krimi.

Aty pati fillimisht një konflikt më 28 qershor mes kamarierit dhe kuzhinierit të këtij hoteli. Më pas erdhi Ersild Ishmi, 33 vjeçari në ndihmë të kamarierit duke kanosur kuzhinierin me armë zjarri. Ishmi hodhi pistoletën, kur pa se erdhi policia dhe u largua nga vendngjarja. Ai ishte arrestuar më 14 korrik dhe ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ngjarja nuk është harruar dhe mesa duket palët janë takuar sot sërish kur ndodhi dhe ngarja tragjike. 

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.