Aplikacionet e rrjeteve private virtuale (VPN) janë bërë më të shkarkuarat në App Store të Apple në Mbretërinë e Bashkuar, pas hyrjes në fuqi të rregullave të reja të verifikimit të moshës në faqe si Pornhub, Reddit dhe X që nga e premtja.
VPN-të maskojnë vendndodhjen e përdoruesit në internet, duke lejuar akses në përmbajtje të kufizuar si të ishte në një shtet tjetër. Kjo do të thotë se shumë persona po i përdorin për të anashkaluar kërkesat e ligjit të ri për sigurinë në internet (“Online Safety Act”), i cili detyron platformat me përmbajtje për të rritur të verifikojnë moshën e përdoruesve.
Të hënën në mëngjes, gjysma e dhjetë aplikacioneve më të shkarkuara falas në App Store në MB ishin VPN. Një kompani teknologjike i tha BBC-së se kishte shënuar një rritje prej 1800% në shkarkime gjatë fundjavës.
VPN-të lidhin përdoruesin me faqet përmes një serveri të largët, duke fshehur adresën IP dhe vendndodhjen reale, gjë që mundëson anashkalimin e ndalesave apo filtrave për përmbajtje të caktuar.
Sipas ligjit të ri, platformat që lejojnë përmbajtje të konsideruar të dëmshme për fëmijët, janë të detyruara të përdorin metoda të “fuqishme” verifikimi të moshës, si p.sh. skanimi i fytyrës përmes një selfie apo video, apo ngarkimi i një dokumenti identifikimi, çka ka ngritur shqetësime për ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se versionet falas të VPN-ve mund të përmbajnë rreziqe për privatësinë dhe sigurinë. Daniel Card, ekspert i BCS (Chartered Institute for IT), tha për BBC-në:
“Shumë prej këtyre VPN-ve falas janë plot probleme. Disa i shesin të dhënat tek kompani të tregtimit të trafikut, të tjera janë kaq keq të ndërtuara sa i ekspozojnë përdoruesit ndaj sulmeve.”
Ai shtoi se, pavarësisht rreziqeve të mundshme, këto aplikacione “përfundojnë në duart e fëmijëve që përpiqen të aksesojnë përmbajtje të kufizuar” ose të të rriturve që duan të anashkalojnë kufizimet.
“Ky është realiteti i pakëndshëm: njerëzit rrezikojnë për të marrë atë që duan në internet,”u shpreh ai.
Katie Freeman-Tayler, nga organizata për sigurinë e fëmijëve Internet Matters, tha për BBC-në se ofrimi i VPN-ve falas apo me çmim të ulët për fëmijët është “shqetësues”.
“Kjo e bën të lehtë për ta anashkalimin e mbrojtjeve të rëndësishme që janë vendosur nga ligji, përfshirë kontrollet e moshës për të mbrojtur nga përmbajtja për të rritur,” tha ajo.
Ndërkohë, rregullatori mediatik Ofcom thekson se platformat që janë të detyruara të zbatojnë metoda të forta të verifikimit të moshës nuk duhet të lejojnë, shpërndajnë apo promovojnë përmbajtje që nxit përdorimin e VPN-ve për të anashkaluar këto kontrolle. Edhe qeveria britanike i tha BBC-së se kjo do të ishte e paligjshme për platformat.
Kompania zvicerane Proton, e cila ofron shërbimin Proton VPN, raportoi një rritje prej 1800% të përdoruesve të rinj në MB gjatë fundjavës. Përfaqësuesi i kompanisë tha se MB tani renditet ndër vendet me përdorimin më të lartë të VPN-së.
“Kjo tregon qartë se të rriturit janë të shqetësuar për ndikimin që kanë ligjet e verifikimit të moshës në privatësinë e tyre,” shtoi ai.
Edhe Rajat Vaghani, zëvendëspresident i inxhinierisë në aplikacionin Free VPN i renditur i gjashti ndër aplikacionet falas më të shkarkuara të hënën, konfirmoi një “rritje të ndjeshme” të përdoruesve dhe shkarkimeve nga MB gjatë fundjavës.
Shumë nga këto aplikacione ofrohen falas falë reklamave dhe pretendojnë se nuk ndajnë të dhëna me palë të treta. Të gjitha deklarojnë se lidhjet përmes tyre janë private, të sigurta dhe të enkriptuara dhe se nuk janë të destinuara për përdorim nga fëmijët.
“Përdoruesit që janë më të kujdesshëm për privatësinë zgjedhin shërbime të besueshme… por përdoruesi mesatar jo. Ata thjesht shkarkojnë aplikacionin e parë falas që ka disa komente pozitive, pa e kuptuar se po japin akses në të dhënat e tyre.”
