OSSH ka paditur pronarët e disa objekteve në Tiranë, pasi abuzonin me energjinë elektrike, duke u furnizuar me linjë të dytë jashtë matjes.
Sipas njoftimit të OSSH, bëhet fjalë për dy objekte në zonën e Qesarakës dhe një vilë 3-katëshe.
OSSH bën me dije se pronari i vilës duke qenë debitor ka ndërruar matësin, me shpresën se do “fshinte” detyrimet, por është zbuluar nga grupi operativ i Unazës së Re.
Sipas informacioneve zyrtare mësohet se pronari dhe elektricisti privat, së bashku me dy objektet në Qesarakë janë denoncuar në polici.
“Strukturat e drejtorisë rajonale OSSH Tiranë vijojnë kontrollet tek linjat ku dyshohet se ka humbje në rrjet për shkak të veprimeve të paligjshme.
Konkretisht, në 24 orët e fundit janë “goditur” 3 raste subjektesh që abuzonin me energjinë elektrike, duke u furnizuar me linjë të dytë jashtë matjes.
Dy objekte në zonën e Qesarakës ushtronin aktivitet privat, kurse një abonent, pronar i një vile 3 katëshe, duke qenë debitor ka ndërruar matësin, me shpresën se do “fshinte” detyrimet, por është zbuluar nga grupi operativ i Unazës së Re. Pronari dhe elektricisti privat janë denoncuar në polici, sikurse dhe dy objektet private në Qesarakë.
Rastet u ndoqën në prezencë të uniformave blu, duke ia kaluar më tej për veprime ligjore organeve kompetente”, thuhet në njoftimin e OSSH-sës.