Vetëvrasja e 41-vjeçares në Durrës, Nikolla: Do ashpërsojmë legjislacionin për fyerjet në rrjetet sociale

Lindita Nikolla

Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Vardardhë të Sukthit dy ditë më parë, ku një 41-vjeçare, nënë e katër fëmijëve i ka dhënë fund jetës, pasi nuk ka përballuar presionin e familjes dhe të të afërmve pas hapjes së një profili denigrues në emër të saj në Tik-Tok.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila paralajmëron ashpërsim të legjislacionit për mediat online.

Nikolla thekson se Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë më shpejt, me më shumë forcë dhe efiçience për parandalimin e rasteve të tilla.

Reagimi i plotë

Një nënë e katër fëmijëve, u vetësakrifikua për shkak të denigrimit në mediat sociale. Fëmijët dhe bashkëshorti humbën njeriun e tyre më të dashur, që i kishte thirrur për t’u gëzuar bashkarisht për festat.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë t’u japin shkaktarëve dënimin maksimal, të merituar.
Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si një apel i fuqishëm për shoqërinë dhe institucionet.

Kuvendi do të rishqyrtojë menjëherë, me përparësi ashpërsimin e legjislacionit për mediat online dhe Kodin Penal, sidomos dispozitat që lidhen me krimin kibernetik, sulmet, fyerjet dhe agresivitetin në rrjetet sociale.

 Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë më shpejt, me më shumë forcë dhe efiçience për parandalimin e rasteve të tilla, të cilat ndodhin para syve të të gjithë shoqërisë dhe shkaktojnë ngjarje tragjike e trauma familjare. Ngushëllime fëmijëve, bashkëshortit dhe familjarëve të të ndjerës! U prehtë në paqe!

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.