Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në “Facebook” disa të dhëna të Barometrit Botëror të Turizmi, i cili e renditi Shqipërinë në vendin e tretë në periudhën janar-korrik të 2023.
Në këto shifra, Shqipëria rezulton se ka pasur një rritje me 56 për qind të prurjeve turistike. Sipas Ramës, kjo arritje nuk do ishte bërë e mundur pa përkushtimin e palodhur të profesionistëve në fushën e turizmit, ndërsa shton se Shqipëria tashmë është vendosur në hartën e destinacioneve që duhen vizituar me patjetër.
“Vendi i 3-të në Barometrin Botëror të Turizmit për janar-korrik 2023, me një rritje spektakolare 56% të prurjeve turistike. Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin dhe punën e palodhur të gjithë këtyre viteve dhe veçanërisht profesionistëve tanë të industrisë së turizmit. Së bashku e kemi vendosur Shqipërinë në hartë si një destinacion që duhet vizituar dhe do ta bëjmë çdo vit e më mirë. Nga brigjet e puthura me diell të rivierës shqiptare e deri tek bukuritë historike Gjirokastër, kemi diçka për të gjithë Për udhëtarët në mbarë botën: ejani të zbuloni xhevahirin që është Shqipëria, pasuruar nga përpjekjet e sektorit tonë të jashtëzakonshëm të turizmit”, shkruan Rama.