Prezantohet projekti Bus Rapid Transit (BRT), i cili do të prekë linjat kryesore të qytetit, si Kinostudio-Kombinat, Unazën dhe linjën e Tiranës së Re. Gjatë prezantimit të projektit së bashku me ekspertë gjermanë dhe ata të Londrës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se transporti publik meriton një diskutim serioz dhe jo thjesht populist për efekt fushate.
“Transporti urban ka qenë në vëmendje të debatit publik edhe prej populizmit, edhe për faktin se fushata po afron – tani jam duke pritur kur do fillojnë avionët dhe trenat falas, por nuk e di nëse po flitet me Elon Musk që edhe SPACE X të japë udhëtime falas për të gjithë votuesit në Shqipëri. Por, të gjithë e kuptojmë se nga ‘kali blu’ vetëm propozime të tilla mund të priten! Kur sheh kalin që vjen në Tiranë, kujtohesh që i kemi dëgjuar këto përralla edhe më parë, por ky është momenti për të bërë një bisedë serioze. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme”.
Veliaj u ndal edhe tek aksidentet e autobusëve të linjave, për të cilat tha se në shumicën e rasteve shkak janë bërë automjetet dhe jo drejtuesit e shoferëve.
“Kur dikush thotë çfarë po ndodh me aksidentet me autobusë duhet të kuptojë që siç janë shtuar Mercedes-ët dhe Volksëagen-ët, janë shtuar sot edhe autobusët. Kur kishim 100 mjete, dhe kur vinim njëherë në 37 minuta probabiliteti që të kishte aksidente dhe të takohej me një mjet tjetër ishte shumë i vogël. Kam analizuar 7 rastet e fundit. Në 5 raste është një makinë që i hyn në brinjë autobusit. Sigurisht po të lexosh këto që vënë gjoba Lolita, JOQ e këto ti mendon se autobusi po ha automjetet. Por në 7 raste, 5 janë raste kur një makinë i shkon anash një autobusi. Nga padurimi për të dalë nga kthesa godet autobusin. Në dy raste sipas raportimit të policisë ishte një shofer, një zotëri i cili pati gjendje të fikëti. Kur është e paligjshme të sëmuresh. Kur është bërë raca jonë kaq e pandjeshme ndaj një njeriu që pati tension.”
Veliaj tha se plani i bashkisë është që autobusët e shpejtë të jenë elektrikë.