Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen në Pezë, në lagjen e re, që është projekti i fundit i madh i rindërtimit në Tiranë, ku do të strehohen 30 familje, të cilat mbetën të pastreha pas tërmetit.
Së bashku me deputetin e PS, Toni Gogu dhe përfaqësuesin e fondacionit “Firdeus” – “Shqiptarët për Shqiptarët”, Ilir Hoxholli, si donatorë në rindërtimin e kësaj lagjeje, Veliaj tha se ashtu si Vaqarri, Ndroqi, Zall Herri e Thumana, edhe kjo lagje e re do të kthehet në një zonë urbane.
“Janë vërtet 30 mundësi, jo vetëm 30 shtëpi, shpresë për çuna dhe goca që deri dje ishin të ‘dënuar’ të rrinin te shtëpia e gjyshërve të tyre, pas dy krerëve bagëti dhe dy rrënjëve ullinj. Sot, në fakt, do të zbresin – me shpresë për punë muajsh – në një zonë të urbanizuar, e cila ka akses në të gjitha shërbimet e tjera, ku mund të fillojnë një jetë të re. Nuk ka asnjë arsye pse një fëmijë i vogël të dënohet vetëm për faktin se gjyshin e ka pasur në një zonë malore. Dikur mund të ketë qenë oportune, sepse kanë kaluar të gjithë karvanët e tregtisë dhe rrugëve rurale të asaj kohe. Por, me urbanizimin e sotëm, ku rrugët janë zhvendosur nëpër lugina, pranë qendrave të banuara, nuk ka më asnjë arsye pse një fëmijë të destinohet të kalojë gjithë jetën në një zonë të humbur, ku jo vetëm humb shpresa, por humbin gjithë këto mundësi për të ecur përpara,” tha Veliaj ndërsa kujtoi që 30 shtëpitë bëhen nga fondacioni, ndërkohë që infrastruktura rrugore, kanalizimet, ndriçimi, bëhen nga bashkia. “Duke i dhënë jetë këtyre komuniteteve i japim mesazhin secilit se askush nuk është në periferi, askush nuk është i parëndësishëm dhe askush nuk është jashtë vëmendjes,” deklaroi ai.duke shtuar se synojnë që do ta shndërrojnë Pezën në një park të madh të aventurës.
“Mezi pres që Pezën ta kthejmë vërtet në një park të aventurës. Me vitin e sportit na jepen mundësi të jashtëzakonshme për hipizëm, për lojëra popullore, për lëvizjen skautiste, dhe për shumë aktivitete që ne zhvillojmë këtu. Me terrenet sportive që kemi në katër shkollat e reja – kemi bërë ndoshta investimim më të madh në Pezë me 4 shkolla – apo me terrene të tilla sportive, ne mund t’i gjallërojmë, të sjellim jetë dhe të sigurohemi që edhe fëmijët, ashtu siç po ndodh në Tiranë në qytet, të kthehen në Tiranë në fshat. Fëmijët që kërrusen në iPhone dhe iPad duhet t’i çojmë në fushat sportive, të luftojmë obezitetin, të kenë jetë të shëndetshme dhe të ndërtojmë dhe karakterin,” theksoi ai.