Veliaj kërkon ndërhyrje të GJKKO-së për hetimet e SPAK ndaj tij

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar më 13 gusht, pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së hetimeve të kryera nga SPAK.

Në dokument, Veliaj akuzon se hetimet janë kryer nga një prokuror i pavlefshëm, i cili nuk përmbusht kriteret ligjore, dhe se janë përdorur kallëzime të falsifikuara, veprime hetimore pa regjistrim, shkelje afatesh, sekuestrim i të dhënave pa vendim gjykate dhe përdorim i ekspertëve të varur nga organi i akuzës.

“Mungesa totale e çdo veprimi për të identifikuar autorin e kallëzimit në këtë rast përforcon bindjen se Prokuroria nuk ka ushtruar rolin e saj si filtër institucional, por ka vepruar në mënyrë formale dhe të njëanshme, duke trajtuar një tekst të paidentifikueshëm si të ishte një kallëzim legjitim dhe i verifikuar.

Kjo mospërmbushje nuk është thjesht një neglizhencë, por për shkak të pozicionit të personit të kallëzuar, krijon dyshime serioze mbi motivimin e ndjekjes penale, paanshmërinë e hetimit dhe legjitimitetin e të gjithë procesit penal.

Në lidhje me mungesën e kushteve për të ushtruar funksionin, është tashmë fakt i pakontestueshëm që z. Olsi Dado, në momentin e emërimit si prokuror, nuk përmbushte kriteret e nevojshme që rrjedhin nga legjislacioni përkatës mbi statusin e magjistratit.

Eksperienca e tij e mëparshme si noter nuk është e vlefshme për plotësimin e kushteve për emërim në sistemin e prokurorisë, çka e bën aktin e emërimit të tij të pavlefshëm”, thuhet në shkresë.

Disa nga shkeljet që përmenden në shkresë:

-Hetimi i çështjes është kryer nga një person që kurrë nuk ka pasur status ligjor prokurori në sistemin shqiptar.

-Ndjekja penale është ushtruar nga një individ që ka pasur konflikt të qartë interesi me subjektin e hetimit.

-Hetimet janë nisur mbi bazën e një kallëzimi të falsifikuar, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit.

-Veprimet hetimore janë kryer pa regjistrim zyrtar të procedimit penal, me qëllim shmangien e afateve dhe kontrolleve ligjore.

-Afatet hetimore janë tejkaluar për shkak të fshehjes së statusit të personit nën hetim.

-Janë sekuestruar dhe përdorur të dhëna kompjuterike pa vendim gjykate dhe është kryer leximi i korrespondencave private pa autorizim ligjor.

-E drejta për mbrojtje efektive është cenuar, duke refuzuar kohën e nevojshme për njohje me aktet e hetimit.

-Janë përdorur ekspertë të varur nga vetë organi i akuzës, duke shkelur standardet e paanshmërisë.

-Çështja është “ndarë në pjesë” si një mënyrë për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike të të pandehurit.

Veliaj thekson se këto shkelje krijojnë dyshime serioze mbi paanshmërinë e hetimit dhe legjitimitetin e të gjithë procesit penal.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.