Vdekja e Saimir Sulës, prokuroria spanjolle: Në përfundim të proceseve zemra do dërgohet në Shqipëri

Teksa kanë kaluar më shumë se 2 vite nga vdekja e të riut shqiptar Saimir Sula në Spanjë, dhe mbërritja e trupit të pajëtë pa zemër në Shqipëri është zhvilluar një takim mes autoriteteve spanjolle dhe atyre të vendit tonë.

Në një njoftom prokuroria e Tiranës bën me dije se është zhvilluar në Barcelonë një takim mes, Monica Marcos, Prokurore pranë Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sonia Canal Prokurore e çështjes, si dhe Suela Salavaci Prokurore e çështjes pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.

Prokuroria bën me dije se në takimin e dy ditëve më parë u diskutuan çështjet të lidhura me hetimin si ecuria e ekzekutimit të letërporosisë së dytë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dërguar në Prill 2022, për të cilën pala spanjolle informoi se e kanë shqyrtuar dhe informacioni shumë shpejt do të përcillet pranë autoriteteve shqiptare, pasi është në përfundim. Çështja e dytë e rëndësishme e diskutuar në takim kishte të bënte me dërgimin në Shqipëri të zemrës së të ndjerit Saimir Sula për të kryer analizën e ADN-së autoritetet shqiptare.

Për këtë çështje pala spanjolle ka sqaruar se për shkak të hapjes së çështjes në Spanjë nga familjarët e të ndjerit, si dhe në kushtet kur shqyrtimi i çështjes aktualisht është në Gjykatën e Lartë, pritet marrja e vendimit nga ana e kësaj gjykate dhe më pas do të procedohet me dërgimin e zemrës në Shqipëri.

“Në kushte kur ekzekutimi i letërporosisë është në proces, kryerja e testit të ADN-së do të vendoset nga gjykata spanjolle e cila aktualisht e ka në shqyrtim, por në çdo moment në përfundim të proceseve në Spanjë, zemra do të dërgohet në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Sa i përket akuzave të motrës së 33-vjeçarit për mospërputhjen e datave, se studimi histopatologjik i zemrës së Saimir Sulës është bërë me datë 22 prill 2020, ndërkohë që ai ka ndërruar jetë më datë 9 maj 2020, pala spanjolle tha se ky është një gabim material i shkruar.

“Në lidhje me këtë pretendim, nga pala spanjolle u sqarua se ky është një gabim material i shkruar, pasi studimi hispatologjik ka filluar më datë 22.05.2020, kjo edhe për faktin se datat e referuara në brendësi të vendimit provojnë se është një gabim material i shkruar”, njofton Prokuroria e Tiranës.

Gjatë takimit prokurorja shqiptare kërkoi garanci për ruajtjen e zemrës dhe prokurori spanjoll vuri në dispozicion kopje të vendimit të Gjykatës së Barcelonës të datës 25 gusht 2021, përcjellë në Institutin Kombëtar të Toksikologjisë dhe Mjekësisë Ligjore në Barcelonë, ku ishte kërkuar mosasgjësimi i zemrës nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.