Unaza e Tiranës hapet të hënën, punimet drejt fundit. Balluku: “Çlirojmë” kryeqytetin

Miks Albania

Unaza e Madhe e Tiranës do të hapet të hënën pasdite për qarkullim.

Aktualisht, në terren po punohet për detajet e fundit, që lidhen me sinjalistikën dhe elementë të tjerë të sigurisë rrugore.

“Ne i kemi dhënë më shpejt kantiereve tona, pavarësisht kushteve të motit që gjatë dhjetorit nuk na kanë ndihmuar, pikërisht për ta dorëzuar dhe për ta çliruar kryeqytetin, pasi siç kemi thënë Unaza e Madhe nuk është vetëm në shërbim të banorëve të kryeqytetit, por është në shërbim të të gjithë atyre vizitorëve që vijnë nga të katërt anët e Shqipërisë”, tha Belinda Balluku, ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.

Projekti përfshin jo vetëm korsi shpejtësie për automjetet, por edhe hapësira të dedikuara për këmbësorët, ndriçim dhe gjelbërim.

“Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Është një autostradë e cila është trajtuar me mobilim urban, pikërisht sepse kalon në zona të banuara dhe është një vepër infrastrukturore që për ne do të kthehet në një praktikë të mirë për t’u ndjekur sesi bashkërendimi i të gjithë aktorëve, por sigurisht edhe kontributi i ndërtuesve, mund të sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër”, shtoi ministrja.

Gjatë inspektimit të punimeve në lotin 5, Belinda Balluku tha se falë projektit të Unazës së Madhe është rritur vlera e pronës në shumë zona të Tiranës. 

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.