Reshjet e pandërprera të shiut kanë vështirësuar situatën në qarkun e Lezhës.
Më problematike situata paraqitet në Torovicë, ku sipërfaqja e tokës së përmbytur shkon në 500 hektarë.
Për shkak të pranisë së madhe të ujit në rrugën kryesore, që shkon deri në 70 centimetra, familja Gila nuk mundi të përcjellë me nderime për në banesën e fundit gjyshen e shtëpisë, që u nda nga jeta një ditë më parë.
Familjaret kërkuan ndihmën e ekipit të emergjencave për të përcjellë në varreza të ndjerën. Si pasojë e kushteve të vështira, transporti u bë me mjetet e ushtrisë dhe zetorë.
Autoritetet sqaruan se disa rrugë fshatrash janë të pakalueshme për mjetet e vogla pasi është rritur niveli i ujit. Ndërkohë vijonjnë të jenë të përmbytura 4 banesa në fshatin Kakarriq si dhe qindra hektarë tokë bujqësore.