U vra nga kolegu? Detaje të rënda nga vdekja e shqiptares në Itali, familjarët: E morëm vesh nga lajmet në internet

Detaje tronditëse janë zbardhur në lidhje me vdekjen tragjike të 26-vjeçares shqiptare në Itali, Anila Grishaj. Familjarët e Grishajt shprehen të tronditur për ngjarjen, ndërsa thonë se askush nuk i njoftoi për ngjarjen e rëndë.

“Ne ishim të fundit që e morëm vesh, është turp, duhet të ishim të parët. Për dy orë nuk na thanë asgjë, e morëm vesh nga faqet e internetit”, u shpreh motra e viktimës.

Familjarët e të resë u mblodhën jashtë kompanisë së prodhimit të ushqimeve të ngrira “Bocon” në Pieve di Soligo, ku 26-vjeçarja ndërroi jetë, duke kërkuar drejtësi.

Duam drejtësi, duhet të na japin shpjegime!”, thotë një kushëri i viktimës.

Nga ana tjetër, dyshohet se shkaktar i vdekjes së 26-vjeçares shqiptare është një koleg i saj. Anila Grishaj raportohet se ishte nëndrejtoreshë e kompanisë dhe po monitoronte funksionimin e një makinerie që mbërriti në kompani pesë muaj më parë, e cila mbështjell produktet e gatshme me celofan për transport.

Dyshohet se ajo i ishte afruar paletës për të kontrolluar dhe në atë moment një punëtor tjetër, i cili nuk e pa viktimën që ndodhej tek makineria, e rindezi atë. Në momentin që makineria u ndez i goditi kokën viktimës, duke i shtypur rruazat e qafës.

“Thanë se ishte një nga makineritë më të sigurta, kushtonte miliona. Ata duhet të na tregojnë pse ajo vdiq duke bërë punën e saj. Aty ndihej mirë, kishte një rol të mirë. Ne duam që drejtësia të vendoset”, tha një kushëri i saj.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.