U plagos me armë zjarri, ndërron jetë 45-vjeçari në Durrës

Ka ndërruar jetë Denis Çumani, 45 vjeç, nga Shijaku, i cili mbrëmjen e së martës, më 27 janar, u plagos me armë zjarri në derën e banesës së tij.

Çumani ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, ku ndodhej i shtruar prej disa ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas hetimeve, mbrëmjen e së martës, dy kushërinjtë Dorian dhe Indrit Ferra shkuan në banesën e Çumanit. Fillimisht ata e dhunuan fizikisht dhe më pas e qëlluan me armë zjarri. Plumbi i përshkoi trupin tejpërtej, duke i shkaktuar plagë shumë të rënda.

Mësohet se shkak i konfliktit ka qenë një vajzë. Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, ndërkohë që ajo ishte në një lidhje me Dorian Ferrën. Pak ditë para ngjarjes, vajza ishte takuar me Dorianin dhe kishin frekuentuar një lokal, ku gjatë kësaj kohe ajo ka marrë sërish mesazhe nga Çumani, të cilat janë vënë re nga Ferra.

Pas shoqërimit të vajzës në banesë, Dorian Ferra ka marrë kushëririn e tij, Indritin, dhe së bashku janë nisur drejt banesës së Çumanit.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.