Mjekët e familjes të cilët kanë një diplomë specializanti, janë përjashtuar nga rritja e pagave me 50 mijë lekë.
Sipas një udhëzimi të datës 28 prill, ata do të marrin vetëm 15 mijë lekë më shumë, një vendim i cili nuk është mirëpritur nga mjekët e sistemit parësor të cilët nëpërmjet një peticioni drejtuer ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryeministrit Edi Rama e kanë cilësuar si antikushtetuese dhe diskriminues.
Në peticionin e tyre mjekët kanë lënë 4 ditë afat për të sqaruar arsyet e këtij diferencimi.
“Udhezimi Nr. 9, gjykojmë se është antikushtetues e diskriminues, duke shkelur parimin themelor të barazisë në punë përsa lidhur me arsimimin. Specilaiteti ynë -Mjek Familjeje nuk mund të diskriminohet në raport me specialitetet e tjera të tilla si Mjek Dermatolog, Okulist, etj”.
Ne gjykojme se Udhezimi Nr.9 nuk duhet te legjitimohet, per sa kohe bie ndesh me organizimin strukturor te programit akademik te Universitetit te Mjekesise, ku vijohet te ofrohet nje dege studimi pasuniversitare per specialitetin Mjek Familjeje.
Të na parashtrohet baza ligjore ku mbeshtetet ky ndryshim vendimi, interpretimi ligjor si edhe arsyetimi i bërë, i mbeshtetur në fakte, për diferencimin e pagave dhe për zhvlerësimin e diplomës së mjekut specialist të familjes, në një hark kohor 4 ditor”, thanë mjekët.