Zbardhen detaje nga arrestimi i 42 vjeçarit në Tiranë nën akuzën se ka shfrytëzuar një të mitur për prostitucion, për një periudhë 2-vjeçare.
Raportohet se i arrestuari Dervish Hasi është mjek kirurg i cili prej rreth dy vitesh kishte shfrytëzuar një vajzë të mitur rreth 14 vjeçe, tashmë 16 vjeç duke e prezantuar si bashkëshorten e tij të katërt.
Hasi njihet si besimtar mysliman dhe kishte edhe 3 gra të tjera në shtëpi. E mitura shkonte në shtëpinë e Hasit në intervale të shkurtra kohore, 3 deri në 4 ditë, ndërsa dyshohet se Hasi ka kryer marrëdhënie seksuale me të, e cila do të konfirmohet përmes akt-ekspertizës.
Ndërkohë bëhet e ditur se Hasi është një person i njohur për policinë. Me profesion mjek, ai ka qenë edhe i hetuar nga SPAK. Prokuroria e Posaçme kishte dyshime se mjeku ishte i përfshirë në grupin që furnizonte me tritol dhe armë snajper kriminelë brenda dhe jashtë vendit. Për mjekun Hasi rëndon akuza e prostitucionit.