Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Ivica Daçiq thotë tha se autori i dyshuar i vrasjes së policit në Serbi, shqiptari Faton Hajrizi është ekzekutuar.
“Pjesëtarët e policisë vranë vrasësin e policit në afërsi të Loznicës”, tha Daçiq. Daçiq ndodhet në vendin e ngjarjes, shkruan Danas.
Daçiq më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Ministria e Brendshme e Serbisë po ashtu publikoi fotografinë e Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.
Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.
Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.
Sulmi ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia ndaloi makinën në të cilën ndodhej i dyshuari, për një kontroll rutinor.
Hajrizi sulmoi me armë zjarri zyrtarët policorë, dhe më pas u largua.
Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.
“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e lëshuar në Kosovë në emër të Artan Hajrizit (1991) dhe një letërnjoftim i tij gjerman.
Një ditë më parë, Daçiq ka thënë se po verifikohet nëse personi të cilit i janë gjetur dokumentet është vëllai i Artan Hajrizit, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, ditë më parë.
Artan Hajrizi ka thënë të enjten për mediat në Kosovë se ndodhet në Gjermani dhe se vëllai i tij, Fatoni, ia ka vjedhur pasaportën.
Ndihmësdrejtori i policisë serbe, Dragan Vasileviq, ka thënë për RTS-në se policia gjermane është kontaktuar përmes Interpolit dhe se identiteti i të dyshuarit ende nuk është “konfirmuar saktë”.
Ai ka thënë se autoritetet e sigurisë në Serbi po bashkëpunojnë “shumë mirë me ato të Republikës Sërpska në Bosnje -Hercegovinë, me ato të Kroacisë dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.