Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Kosovë, pasi pasditen e djeshme ka ndërruar jetë 26-vjeçarja Zana Gjevukaj, e cila ishte aksidentuar më 1 prill në fshatin Qyshk të Pejës nga një automjet i drejtuar nga një zyrtar policor. Pas disa javësh në gjendje të rëndë në spital, Zana nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Lajmi i ndarjes së saj nga jeta u bë i ditur nga familjarët përmes një postimi emocional në rrjetet sociale. “Ike shumë e re, shpirtbardha jonë. Shpirti yt u prehtë në paqe, motra ime,” ka shkruar vëllai i saj.
Zana punonte si edukatore dhe ishte shumë e dashur për komunitetin. Aksidenti që i mori jetën nxiti reagime të shumta për shkak të përfshirjes së një efektivi policie. Sipas njoftimit të policisë, drejtuesi i mjetit dyshohet se po udhëtonte me shpejtësi të lartë dhe e përplasi viktimën nga pakujdesia, teksa ajo po ecte në trotuar.