Turizmi 2025, mbi 12 milionë vizitorë të huaj

Me mbylljen e vitit 2025, Shqipëria ka kapërcyer shifrën e 12 milionë vizitorëve me pasaportë të huaj, duke thyer rekordin e një viti më parë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, i cili thekson se ky rezultat konfirmon konsolidimin e vendit si një destinacion turistik gjithëvjetor, me oferta të larmishme nga turizmi kulturor dhe natyror, te ai kulinar, sportiv dhe i aventurës.

Sipas ekspertëve të fushës, rritja e turistëve për vitin 2025 ishte në të njëjtin nivel me mesataren europiane, çka tregon një stabilizim të kërkesës dhe jo më rritje të përshpejtuara artificiale.

“Viti 2025 ishte pozitiv dhe i qëndrueshëm. Kemi një rritje rreth 5%, e krahasueshme me atë të vendeve europiane, çka tregon se Shqipëria po hyn në një fazë konsolidimi të turizmit. Rritja më e madhe e flukseve erdhi nga Kosova, Italia, Greqia, Franca, Gjermania dhe Izraeli, tregje që po e shohin Shqipërinë gjithnjë e më tepër si destinacion alternativ, konkurrues për çmim dhe përvojë”, u shpreh Luan Dervishaj, ekspert i turizmit.

Por, krahas shifrave pozitive, sezoni nxori në pah edhe problematika të përsëritura, sidomos në kulmin e verës.

“Sfida kryesore mbetet menaxhimi. Nuk mund të kemi punime infrastrukturore në mes të sezonit, mungesë shërbimesh bazë apo kaos në trafik, sepse kjo ndikon drejtpërdrejt në përvojën e turistit. Shqetësim ishin ndërhyrje infrastrukturore gjatë sezonit, shembje pa leje, punime rrugore, mungesë uji, menaxhim i dobët i mbetjeve dhe trafik i rënduar në zonat turistike”, shton eksperti.

Sipas ekspertëve, për të qenë më konkurruese në vitet në vijim, Shqipëria duhet të fokusohet në menaxhim më të mirë lokal dhe qendror, përmirësim të infrastrukturës dhe akses më të qartë në informacion për turistët, duke e kthyer rritjen sasiore në cilësi dhe qëndrueshmëri afatgjatë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.