Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka urdhëruar ndalimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të hënën në mbrëmje.
“Presidenti e ka bërë të qartë se ai është i fokusuar në paqe. Ne kemi nevojë për partnerë që janë gjithashtu të përkushtuar për të arritur këtë qëllim”, tha zyrtari.
Vendimi erdhi disa ditë pas përplasjes mes Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.
Skenari i vështirë i zëvendësimit të presidentit ukrainas
Volodymyr Zelensky e bëri të qartë dje, duke u larguar nga Londra, se askush nuk do ta ketë të lehtë ta “eleminojë” nga ekuacioni për vendin e tij dhe duke buzëqeshur tha se “e vetmja mënyrë që unë të humbas në zgjedhje, sa herë që mbahen, është të mos jem kandidat”.
Trump u përgjigj në një “lojë ping-pong që po përshkallëzohet rrezikshëm dhe me shpejtësi”, se “Zelensky është dikush që nuk dëshiron paqe dhe nuk do të jetë në pozicionin e tij për një kohë të gjatë”.
Por sa e shpejtë dhe e lehtë është që Zelensky të mbajë zgjedhje?
Volodymyr Zelensky, për të vazhduar me zgjedhjet në vendin e tij, në thelb duhet të kapërcejë tre pengesa.
E para ka të bëjë me rishikimin kushtetues që kërkohet, pasi kushtetuta vendore thotë qartë se zgjedhjet nuk mund të zhvillohen me gjendjen ushtarake në fuqi, e dyta është thjesht për arsye objektive, pasi edhe nëse gjithçka është gati në një kohë rekord, vetëm 75% e territorit ukrainas mund të shkojë në votime dhe të zgjedhë një President në bazë të listave elektorale të vendit.
Analistët vërejnë se cilado qoftë zgjedhja, duke filluar gjithmonë me skenarin hipotetik se Ukraina shkon në zgjedhje, nuk ka asnjë mënyrë që ato të mbahen dhe të japin një rezultat në më pak se gjashtë muaj nga shpallja e tyre. Pyetja që lind në mënyrë të arsyeshme është si po ecën vendi në këta gjashtë muaj?
