Presidenti i SHBA Donald Trump mendon se homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky është i gatshëm t’i dorëzojë Krimenë Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, pavarësisht refuzimeve të mëparshme të Kievit për çdo propozim të tillë, raporton BBC.
I pyetur nëse mendonte se presidenti ukrainas ishte gati të dorëzonte kontrollin e gadishullit të tij jugor, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, Trump u përgjigj: “Unë mendoj se po”.
Trump i kërkoi gjithashtu presidentit rus Vladimir Putin të “ndalojë të shtënat, të ulet dhe të nënshkruajë një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftimeve, duke sugjeruar se kjo mund të arrihet brenda dy javësh.
Ai i bëri komentet para gazetarëve pasi u kthye nga Vatikani, ku zhvilloi një takim të shkurtër me Zelenskyn përpara funeralit të Papa Françeskut.
Trump tha se takimi kishte “shkuar mirë” dhe se Krimeja ishte diskutuar “shumë shkurt”.
Ai tha gjithashtu se Zelensky tani dukej “më i qetë”, duke iu referuar përplasjes publike mes tyre në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt.
Ukraina ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të bëjë ndonjë lëshim territorial, duke theksuar se çështjet në lidhje me tokën duhet të diskutohen vetëm pasi të arrihet një armëpushim.
As Zelensky dhe as presidenti rus Vladimir Putin nuk i janë përgjigjur publikisht komenteve të fundit të Trump.