TRONDITET Kavaja/ 52-vjeçari godet me sëpatë në kokë të riun pas sherrit 

Sepate

Një krim i rëndë është parandaluar ditën e sotme në Kavajë, teksa një 52-vjeçar është arrestuar.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.2 brenda një lokali, ku Artur Petja ka tentuar të vrasë me sëpatë një 33-vjeçar.

Petja e ka goditur 33-vjeçarin në kokë, pas një konflikti për motive të dobta mes të dyve. I riu ka mbetur i plagosur rëndë  dhe është dërguar për mjekim të specializuar drejt Tiranës.

Nga ana tjetër, në pranga ka rënë edhe pronari i lokalit ku ndodhi sherri, 44-vjeçari Elton Dedaj, pasi akuzohet se ka fshirë provat e ngjarjes, e po ashtu ka dhënë deklaratë të rreme për të mbrojtur 52-vjeçarin.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes 2 shtetasve, në një lokal, në lagjen nr. 4, Kavajë, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. P., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lokalin në pronësi të shtetasit E. D., ka tentuar të vrasë shtetasin I. Gj., 33 vjeç, banues në Kavajë, duke e goditur me mjet prerës (sëpatë), në kokë. 33-vjeçari, pas mjekimit në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. P., 52 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë;

E. D., 44 vjeç, banues në Kavajë (pronari i lokalit ku ka ndodhur konflikti), për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Organizmi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Pas konfliktit në lokalin e tij, ky shtetas ka prishur vendin e ngjarjes, ndërsa kur është marrë në pyetje nga oficeri i Policisë, ka deklaruar se shtetasi I. Gj. ishte dëmtuar pasi ishte rrëzuar nga shkallët. Gjatë kontrollit në celularin e shtetasit E. D., shërbimet e Policisë kanë gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.

Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 31 vjeç, banues në Kavajë, klient në këtë lokal, pasi edhe në celularin e tij gjetur të hapura faqe që shërbejnë për lojëra fati.

Mjeti prerës (sëpatë), celulari i shtetasit E. D. dhe i shtetasit A. D. janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.