Gjermani – Tragjedi familjare në Reutlingen: 63-vjeçari vret gruan, motrën dhe dy djemtë, më pas vetëvritet
Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin Reutlingen të Gjermanisë, ku një 63-vjeçar vrau katër anëtarë të familjes së tij dhe më pas i dha fund jetës. Sipas policisë gjermane, të gjitha viktimat janë qëlluar me armë zjarri.
Viktimat janë motra e autorit, 60 vjeçe, bashkëshortja e tij, 57 vjeçe, si dhe dy djemtë e çiftit, të moshës 27 dhe 29 vjeç. Trupat e tyre u gjetën në vende të ndryshme të qytetit.
Ngjarja u zbulua kur një kujdestar social gjeti të vdekur 60-vjeçaren në banesën e saj të martën në mëngjes. Pas këtij zbulimi, policia nisi menjëherë hetimet duke identifikuar 63-vjeçarin si personin kryesor të dyshuar. Forcat speciale të policisë kryen një operacion në shtëpinë e tij, ku gjetën të vdekur autorin dhe bashkëshorten e tij, të dy të qëlluar me armë. Pranë trupit të 63-vjeçarit u gjet edhe arma e përdorur, por ende nuk është konfirmuar nëse ai kishte leje për të, ndonëse ishte me profesion gjuetar.
Në një tjetër ndërtesë u gjetën edhe trupat e dy djemve të tij, duke konfirmuar kështu një tragjedi familjare me pesë viktima.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur motivet e këtij krimi të rëndë.
