Tragjedi në Kinë! Humbin jetën 60 persona pas shirave të rrëmbyeshëm

Moti i keq me shira ka shkaktuar përmbytje në veri të Kinës. Si pasojë 60 persona kanë humbur jetën, prej të cilëve 31 në një shtëpi për të moshuar në rajonin malor Miyun në Pekin.

Në Pekin, 44 persona kanë vdekur dhe nëntë të tjerë figurojnë të zhdukur deri në mesditën e së enjtes, tha zëvendëskryetari i bashkisë së Pekinit, Xia Linmao, në një konferencë për shtyp.

Reshjet e dendura filluan një javë më parë dhe arritën kulmin në zonën e Pekinit dhe provincave përreth të hënën, me deri në 573.5 mm reshje në Miyun, nivele që mediat lokale i përshkruan si “jashtëzakonisht shkatërruese”.

Sasia mesatare vjetore e reshjeve në Pekin është rreth 600 mm.

Në provincën fqinje Hebei, 16 persona humbën jetën si pasojë e reshjeve intensive, njoftuan autoritetet. Të paktën tetë persona kanë vdekur në qytetin Chengde, pranë Pekinit, ndërsa 18 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Humbjet e jetëve kanë ndodhur në fshatra brenda rajonit Xinglong të Chengdeut në provincën Hebei, raportoi agjencia shtetërore Xinhua të mërkurën në mbrëmje, duke iu referuar autoriteteve lokale, pa dhënë detaje se kur apo si ndodhi vdekja e tyre.

Viktimat në Chengde ishin nga fshatra që kufizohen me Miyun-in e Pekinit, rreth 25 km larg rezervuarit Miyun, më i madhi në veriun e Kinës. Rezervuari ka regjistruar nivele rekord të ujit dhe kapaciteti gjatë reshjeve që shkatërruan qytetet përreth.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.