Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak më parë në Dukagjin, ku babë e bir janë qëlluar me armë zjari.
Ngjarja ka ndodhur në Malin e Shoshit, teksa paraprakisht raportohet se i vdekur ka mbetur babai, ndërsa djali i tij ndodhet në gjendje të rëndë.
Teksa Zef Guri ndërroi jetë pas breshërisë së plumbave, Gjin Guri ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Nuk dihet ende shkaku i atenatit, megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Gjin Guri është shënjestër e një atetnati.
Më 15 nëntor të vitit 2021, Gjin Gurit i është vendosur një tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit, në Dukagjin. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa autorët mbetën të pazbuluar.
Pronari i lokalit që ishte shënjestër e sulmit me lëndë plasëse, është një person me precedent penal, sepse është dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua sërish nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.
Asokohe Gjin Guri ishte një person në kërkim ndërkohë që dyshohej edhe si personi që qëlloi ndaj Policisë në një aksion të efektivëve 6 vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.
“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSH-së Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.