Tirana promovohet si vend për xhirime filmash në Hollywood! Çfarë ndodhi në eventin më të rëndësishëm të filmit?

Në datat 31 tetor deri më 5 nëntor, në Los Anxhelos u zhvillua Marketi Amerikan i Filmit, ku merrnin pjesë profesionistë nga e gjithë bota. Në vendin ku kinematografia merr jetë ndryshe, aty ku kanë ndodhur eventet më të rëndësishme të kësaj industrie – pikërisht në Hollywood! – Tirana Film Office, si pjesë e Agjencisë së Industrisë Kreative (Agjenci në varësi të Bashkisë së Tiranës) ishte prezente përgjatë ditëve të marketit.

“Takimet me producentë amerikanë dhe aziatikë ishin ato që u veçuan nga pjesëmarrja e TFO në American Film Market. Promovimi i Tiranës si një lokacion ideal për xhirime erdhi si një propozim që tërhoqi maksimalisht vëmendjen e prodhuesve të filmit dhe regjisorëve të rinj, të cilët e panë kryeqytetin nga një tjetër këndvështrim. Përfaqësuesit e TFO njëkohësisht i njohën profesionistët e filmit me gjithçka që ofron industria vendase: nga kapacitetet e grupeve të xhirimit, deri tek mundësitë që ofrojnë studiot e prodhimit. Krijimi i Zyrës së Filmit erdhi thuajse dy vite më parë si ide e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, për ta bërë Tiranën më të njohur dhe të aksesueshme në tregun ndërkombëtar kinematografik, e njëkohësisht për të shfaqur më të mirën e kryeqytetit nëpërmjet rrugës së filmit. Një sektor ky i cili vjen si vlerë e shtuar për Bashkinë e Tiranës dhe stategjitë promovuese përtej kufijve”, thekson Jonid Jorigji, drejtor i Agjencisë së Industrisë Kreative në Bashkinë e Tiranës.

Përpos shkëmbimit të eksperiencave në prodhimin e filmit, përfaqësuesit e TFO u ftuan në studio e shtëpisë filmike Warner Bros Pictures, ku u diskutua më tej mundësia për bashkëpunime për projektet e ardhshme, duke e parë kështu Shqipërinë si lokacion të mundshëm filmik. E gjithë eksperienca në American Film Market, sëbashku me shumë nga pjesëmarrësit kryesorë në AFM do të jenë prezentë në eventin më të rëndësishëm kinematografik, Balkan Film Market. Ky i fundit do të mbahet në Tiranë në datat 13-17 dhjetor, duke sjellë këtë herë një frymë ndryshe në aspektin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës për profesionistët e fushës audiovizive.

“Promovimi i kryeqytetit në aspektin kinematografik është gjithmonë në qendër të vëmendjes për Tirana Film Office, jo vetëm në Europë, por kudo ku industria filmike është në maksimumet e veta. Diçka është e sigurt: shumë shpejt do ta shohim Tiranën si imazh të ri në filma nga më të ndryshëm”, tha Jonid Jorgji nga Agjencia e Industrisë Kreative.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.