Tirana pret samitin për Ukrainën, Zelensky për herë të parë në Shqipëri, zhvillimet hap pas hapi

Edi Rama dhe Zelensky

Ditën e sotme në Tiranë mbahet samiti “Ukrainë-Evropa Juglindore”, ku të pranishëm janë liderë të rajonit dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky i fundit ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku u prit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani. Ai gjithashtu ka shkuar paraditen e sotme në Kryeministri, ku ka një takim me kryeministrin Edi Rama.

Zhvillimet e fundit nga samiti i ndiqni më poshtë:

Shqipëria dhe Ukraina kanë firmosur traktatin e miqësisë.

Firmosja e traktatit u bë në Kryeministri, nga kreu i qeverisë Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymy Zelensky.

Ndërkohë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nderuar kryeministrin Edi Rama me dekoratën më të lartë  Urdhrin e Princit ‘Jaroslav i Urti’.

Teksa ndodhet në Tiranë, Zelensky i dorëzoi Ramës dekoratën të cilën e ka nënshkruar që në dhjetor të muajit 2023, ndërsa zgjodhi që t’ia dorëzojë kreut të qeverisë vetë personalisht në këtë samit.

Motivacioni për nderimin e kryeministrit Edi Rama është: “Për një kontribut të rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës, popullarizimin e shtetit ukrainas në botë”.

Rama dhe Zelensky do të hapin samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, që pritet të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet do të jenë me dyer të mbyllura.

Në orën 13:30 është parashikuar një konferencë për shtyp e Ramës dhe Zelenskyt, ku do t’ju përgjigjen interesit të gazetarëve. Të pranishëm në këtë samit, do të jenë edhe liderët e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Kujtojmë që Zelensky mbërriti mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku u prit nga ministri i Jashtëm Igli Hasani. Vizita e tij shoqërohet me masa të rrepta sigurie.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.