Tërmeti në Stamboll, regjistrohen 284 pasgoditje, banorët e kalojnë natën në qiell të hapur

Mëngjesin e sotëm, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mori pjesë në një takim të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) në Stamboll, ku u shqyrtuan masat që duhen marrë në lidhje me tërmetin 6.2 të shkallës Rihter, i cili u regjistrua ditën e djeshme në brigjet e Silivrit, në Detin Marmara.
Pas takimit, presidenti Erdogan deklaroi se në takim u vlerësuan masat që po ndërmerren për minimizimin e efekteve të tërmetit. “Falë Zotit, nuk kemi asnjë humbje jete. Ne si shtet jemi në gatishmëri gjatë gjithë kohës”, theksoi ai.

Më pas, Erdogan u takua me qytetarët në një kafene në lagjen Kiyağıthane, në qendër të Stambollit.

Pasgoditjet pas tërmetit të djeshëm me magnitudë 6.2 të shkallës Rihter vazhdojnë.  Të paktën 284 pasgoditje janë raportuar deri më tani.

Pasgoditja e fundit ka ndodhur në orën 7:19 të mëngjesit me intensitet 4.1 të shkallës Rihter, sipas AFAD.

Disa banorë, kryesisht në periferitë perëndimore të Stambollit, Avcilar, Esenyurt, Yeni Bosna, Bahçelievler, Beylikduzu, zgjodhën të kalonin natën në çadra dhe makina në hapësira të hapura dhe parqe. Megjithatë, shumica e banorëve të Stambollit e kaluan natën në shtëpitë e tyre.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.