Qeveria e Talibanëve në Afganistan ka urdhëruar mbylljen e plotë të shërbimeve të telekomunikacionit në të gjithë vendin, duke çuar në atë që organizata ndërkombëtare për monitorimin e internetit NetBlocks e përshkruan si një “blackout total të internetit”.
Ndërprerja vjen disa javë pasi autoritetet nisën shkëputjen graduale të rrjeteve me fibra optike. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, kontaktet me zyrat në kryeqytetin Kabul janë ndërprerë, ndërsa interneti mobil dhe transmetimet përmes televizionit satelitor janë rëndë të dëmtuara në të gjithë vendin.
Autoritetet talibane ende nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për këtë veprim, por një zyrtar tha për mediat lokale se ndërprerja do të zgjasë “deri në një njoftim të dytë”. Që prej rikthimit në pushtet në vitin 2021, talibanët kanë vendosur një sërë kufizimesh në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islamik të Sheriatit.
Ndërprerja e papritur e internetit pritet të ndikojë ndjeshëm në sektorët e bankave, tregtisë elektronike, arsimit dhe komunikimit. Disa qytetarë në Kabul i thanë BBC-së se shërbimet me fibra optike pushuan së funksionuari rreth orës 17:00, sipas kohës lokale.
“Shumë njerëz do ta kuptojnë ndikimin real vetëm të martën në mëngjes, kur bankat dhe bizneset të rifillojnë punën”, raportoi BBC.
Platforma Flightradar24 raportoi se të paktën tetë fluturime nga dhe drejt aeroportit ndërkombëtar të Kabulit janë anuluar. Të kontaktuar nga mediat, qytetarët shprehën shqetësimin për humbjen e mundësive të pakta që kishin mbetur. Një tregtar valute në provincën Takhar tha se vajzat e tij nuk mund të ndjekin më mësimet e anglishtes online: Ishte e vetmja mundësi që kishin për të mësuar. Tani ajo dritare është mbyllur.
Një grua tjetër u shpreh se nuk mund të ndjekë më studimet online dhe e shikon të pamundur të gjejë një punë në distancë. “Pa internet, nuk di çfarë do të ndodhë më pas”, tha ajo.
Televizioni privat afgan Tolo News njoftoi ndjekësit të orientohen tek rrjetet sociale për informacion, duke paralajmëruar ndërprerje edhe në transmetimet televizive dhe radiofonike.
Hamid Haidari, ish-kryeredaktor i kanalit 1TV, shkroi në platformën X: Vetmia ka pushtuar të gjithë vendin. Afganistani ka kaluar zyrtarisht Korenë e Veriut për nga shkalla e shkëputjes nga interneti.
Ndërsa ish-deputetja afgane, Mariam Solaimankhil, e cila aktualisht ndodhet në SHBA, tha: Heshtja në internet, pa zërat nga Afganistani, është shurdhuese.
Ky blackout është vetëm një nga një sërë masash represive të ndërmarra kohët e fundit nga regjimi taliban. Fillim muajit, autoritetet larguan nga kurrikulat universitare librat e shkruar nga gra dhe ndaluan mësimdhënien për të drejtat e njeriut dhe ngacmimin seksual.
Gratë dhe vajzat janë ndër më të goditurat, atyre u ndalohet të ndjekin shkollimin pas moshës 12-vjeçare. Në fund të vitit 2024 u mbyllën edhe kurset e mamisë, të cilat për shumë vajza përfaqësonin mundësinë e fundit për arsim.
Një studente, e cila kishte ndjekur një kurs të tillë online, tha për BBC: Ishte e vetmja rrugë që më kishte mbetur për të studiuar. Tani që është ndërprerë edhe interneti, më duket sikur bota është errësuar.
Talibanët rifituan kontrollin e Afganistanit në gusht të vitit 2021 pas një ofensive të shpejtë, pas tërheqjes së forcave amerikane dhe atyre ndërkombëtare. Që atëherë, vendi është përballur me izolim të thellë ndërkombëtar dhe kufizime të ashpra të lirisë së shprehjes dhe të drejtave themelore të njeriut.
Ndërkohë, talibanët kanë premtuar se do të krijojnë një alternativë të re për qasjen në internet, por pa dhënë detaje konkrete.
