Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka dënuar sulmin e Iranit në Izrael. Begaj, përmes një postimi në “X”, deklaron se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreson se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë”, shkruan në rrjetet sociale, Presidenti Begaj.
Mbrëmjen mes 13 dhe 14 prillit, Irani sulmoi Izraelin me dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill.
Ndonëse Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.
Izraeli tha se rreth 300 dronë dhe raketa u hodhën nga Irani, ndërsa disa të tjera edhe nga Iraku dhe Jemeni.
Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.