Kompania ajrore kombëtare e Izraelit, El Al, ka njoftuar pezullimin e të gjitha fluturimeve të saj deri të paktën më 19 qershor, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon dhe konfliktit të hapur me Iranin. Fillimisht, El Al kishte pezulluar fluturimet deri më 17 qershor, por mbyllja e hapësirës ajrore izraelite ka detyruar kompaninë të zgjasë ndalimin e operacioneve.
Për më tepër, janë anuluar një sërë fluturimesh drejt qyteteve të ndryshme europiane deri më 23 qershor.
“Sapo të marrim aprovimet nga autoritetet përkatëse të sigurisë dhe aviacionit, do të bëjmë gjithçka të mundur për të kthyer sa më shumë izraelitë në atdhe, të rifillojmë gradualisht programin tonë të fluturimeve dhe të operojmë fluturime shpëtimi nga destinacionet pranë Izraelit”, tha në një deklaratë për shtyp, El Al.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit (NSC) ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët izraelitë që planifikojnë të kthehen në vend përmes Egjiptit apo Jordanisë, edhe pse kufijtë me këto shtete janë ende të hapur.
Autoritetet këshillojnë shmangien e udhëtimeve përmes këtyre rrugëve për arsye sigurie.