Të paktën 13 palestinezë, duke përfshirë tre komandantë të grupit militant Xhihad Islamik, janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.
Autoritetet palestineze të shëndetësisë thanë se tre gra dhe tre fëmijë janë në mesin e të vrarëve.
Së paku 20 persona të tjerë u plagosën.
Izraeli tha se ka nisur një operacion që ka në shënjestër militantët, të cilët përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për qytetarët e tij.
Xhihadi Islamik u zotua se do të hakmerret dhe militantët me bazë në Rripin e Gazës pritet ta sulmojnë Izraelin me raketa.
Sulmet ishin më vdekjeprurësit që prej tre ditëve të armiqësive midis Izraelit dhe Xhihadit Islamik gushtin e kaluar, ku 49 palestinezë u vranë në Gaza.
Sulmet e fundit u zhvilluan në orët e para të mëngjesit të së martës, kur 40 avionë luftarakë dhe helikopterë izraelitë sulmuan në disa valë në të gjithë Gazën, duke goditur shtëpitë dhe duke shkaktuar panik tek banorët.
Krahu ushtarak i Xhihadit Islamik, Brigada al-Quds, konfirmoi se tre komandantë janë në mesin e të vrarëve.
Xhihad Shaker al-Ghannam, sekretar i Këshillit Ushtarak të Brigadave al-Quds
Khalil Salah al-Bahtini, komandanti i Rajonit të saj Verior
Tariq Mohammed Ezzedine, “një nga krerët e aksionit ushtarak” në Bregun Perëndimor të okupuar
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se Bahtini ishte oficeri i lartë operativ i Xhihadit Islamik në Gaza dhe se ai ishte përgjegjës për lëshimin e raketave nga Gaza në muajin e fundit.
Ai shtoi se Ghannam ishte një anëtar i lartë i forcës raketore të Xhihadit Islamik dhe se Ezzedine ishte përgjegjës për koordinimin me operativët e grupit në Bregun Perëndimor dhe planifikimin e sulmeve ndaj civilëve izraelitë atje