SPAK kërkesë Kuvendit për arrestimin e Ahmetajt, sot mblidhet Këshilli i Mandateve

Ditën e djeshme Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkoi Kuvendit  dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist, Arben Ahmetaj. Për të shqyrtuar këtë kërkesë, kryetarja e Kuvendit ka thirrur sot mbledhjen e Këshillit të mandateve në orën 16:00, ku do të diskutohet mbi heqjen e mandatit të deputetit, Ahmetajt.

Këshilli i Mandateve pritet të dalë me një raport dhe më pas do i dërgohet parlamentit për votim. Burimet bëjnë të ditur për Report TV, se Ahmetaj nuk do të jetë i pranishëm por do të përfaqësohet nga avokatët e tij. Mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura për të mos cenuar sekretin hetimor.

Arben Ahmetaj po hetohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Akuzat kanë lidhje me hetimet që janë nisur për inceneratorin e Elbasanit. Gjatë hetimeve pas kallëzimeve të bëra në adresë të Ahmetajt se ka përfituar dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët  dolën disa të dhëna që e implikojnë atë në këto tre akuza që ka ngritur SPAK, për të cilat kërkon edhe arrestimin.

Sa vite burg rrezikon?

Ish-ministri Ahmetaj akuzohet për refuzim dhe mosdeklarim pasurie vepër penale për të cilën nëse do të gjendet fajtor rrezikon të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ish-ministri akuzohet edhe për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe nëse do të shpallej fajtor do të rrezikonte deri në 12 vite burg. Ahmetaj akuzohet edhe për pastrim të parave e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal vepër penale për të cilën Ahmetaj rrezikon deri në 15 vite burg.

Ahmetaj në pyetje si person në hetim

Më 22 qershor 2023 Arben Ahmetaj u thirr për herë të parë në SPAK dhe u pyet për rreth 6 orë si person nën hetim. Kur Ahmetaj la ambientet e SPAK, por për gazetarët refuzoi të japë detaje të shumta, duke theksuar se vetëm kishte ardhur për të sqaruar pozicionin e tij.

Vilat e sekuestruara

Në 9 mars të këtij viti, GJKKO miratoi kontrollin e banesave të gruas dhe ish-bashkëjetueses së Arben Ahmetajt në Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit. Në prill të 2023 Gjykata e Posaçme e Apelit, ka refuzuar që të lirojë nga masa e sekuestros preventive një vilë në Hamallaj e një në Palasë, të cilat janë bllokuar për llogari të hetimit ndaj ish-zv/kryeministrit Ahmetaj.  Pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj. E Palasës është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Albina Mençka, por e poseduar me emrin e shoqes së kësaj të fundit Elda Dine. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj i përket Arjola Hoxhës, bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.