Këtë të Martë firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes për njohjen e pensioneve Shqipëri-Itali. Lajmin e bën të ditur vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook-un e tij, ku shkruan se nga kjo marrëveshje e rëndësishme mes shteteve përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në vendin tonë.
“Mirëmëngjes, dhe me lajmin e mirë që sot firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes së shumëpritur për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore në Romë, ku mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Marrëveshja do të nënshkruhet nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe homologu i tij shqiptar, Igli Hasani gjatë vizitës dy ditore të këtij të fundit në Itali.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Pas firmosjes, marrëveshja para se të hyjë në fuqi duhet të kalojë për ratifikim në Kuvendet respektive.