Jemi në ditën e dhjetë që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet e para ndaj Iranit, duke shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani dhe duke përshkallëzuar ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Izraeli ka bombarduar gjithashtu Libanin që nga e hëna e kaluar, duke vrarë qindra persona dhe duke plagosur më shumë se një mijë të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Ndërsa konflikti vazhdon, ky është bilanci i deritanishëm i viktimave në rajon që nga fillimi i luftës më 28 shkurt. Të paktën 1,205 civilë janë vrarë në Iran që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ndaj vendit, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA. Në mesin e viktimave janë edhe 194 fëmijë. Gjithashtu, 187 anëtarë të ushtrisë iraniane janë vrarë gjatë kësaj periudhe.
486 persona janë vrarë që kur Izraeli filloi sulmet ajrore në Liban javën e kaluar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit. Ushtria izraelite ka njoftuar gjithashtu se dy ushtarë izraelitë u vranë në Libanin jugor në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Trembëdhjetë anëtarë të Forcave të Mobilizimit Popullor të Irakut janë vrarë në sulmet amerikano-izraelite, sipas milicisë së mbështetur nga Irani. Po ashtu, tre luftëtarë kurdë iranianë dhe një anëtar i forcave të sigurisë së Qeverisë Rajonale të Kurdistanit janë vrarë në konflikt, konfirmuan grupet përkatëse dhe autoritetet rajonale.
12 persona janë vrarë në Kuvajt, përfshirë gjashtë ushtarakë amerikanë, dy ushtarakë kuvajtianë dhe dy pjesëtarë të personelit të sigurisë, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), ushtrisë së Kuvajtit dhe Ministrisë së Brendshme të vendit.
Të paktën 11 persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore në Izrael që nga fillimi i luftës, sipas shërbimit izraelit të emergjencës Magen David Adom. Nëntë prej viktimave u vranë pas një goditjeje të drejtpërdrejtë me raketë në një ndërtesë banimi në qytetin Beit Shemesh.
Tre persona u vranë në Emiratet e Bashkuara Arabe nga dronë iranianë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së vendit. Një shtetas pakistanez humbi jetën gjithashtu në Dubai pasi mbeturinat e një rakete të interceptuar ranë në një zonë banimi, njoftoi ambasada e Pakistanit.
Dy persona u vranë pasi një predhë ushtarake goditi një ndërtesë banimi në qytetin Al-Kharj, sipas Mbrojtjes Civile Saudite. Një ushtarak amerikan ka vdekur gjithashtu nga plagët e marra pas një sulmi ndaj trupave amerikane në Arabinë Saudite në ditën e dytë të luftës.
Një person u vra në Bahreinit pasi mbeturinat e një rakete të kapur nga mbrojtja ajrore shkaktuan zjarr në një “anije të huaj” në Qytetin Industrial Salman, sipas mediave shtetërore të Bahreinit.
Një shtetas indian u vra pasi një mjet ajror pa pilot sulmoi një cisternë nafte ku ai po punonte, rreth 52 milje detare larg bregdetit të Omanit, raportoi Agjencia e Lajmeve të Omanit.
