Situata e tensionuar në Veri, Stoltenberg: Kosova të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar për situatën e krijuar në veri të Kosovës pak ditë më parë.

Ai ka kërkuar që Prishtina të mos ndërmarrë më hapa të njëanshëm të cilët mund të destabilizojnë vendin dhe rajonin.

Sipas tij Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e  ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian si e vetmja rrugë drejt normalizimit të situatës.

Stoltenberg thotë se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, lidhur me situatën në Kosovë, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi ai në Twitter.

Pak ditë më parë, grupe të serbëve lokalë protestuan para zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Kryetarët e rinj u asistuan nga Policia e Kosovës për të shkuar në zyrat e tyre. Por, tensionet u rritën duke përshkallëzuar edhe dhunën e ushtruar ndal forcave policore por jo vetëm.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.