“Shtëpia e barit” në Peqin, shpallet në kërkim drejtori i burgut

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zbulimin e “shtëpisë së barit” në Peqin.

Sipas informacioneve, prona ku u gjet sasia e konsiderueshme e bimëve narkotike rezulton të jetë në pronësi të drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet.

Gjithashtu bëhet me dije se është shpallur në kërkim edhe Ervis Maci, përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Operacioni u realizua nga strukturat e Drejtorisë për Krimet në Volum në Policia e Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së

Në total, u sekuestruan rreth 4000 bimë kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë.

Njoftimi i policisë:

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.

Sekuestrohen rreth 4000 bimë kanabisi, llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.

Shpallet në kërkim pronari i ambientit.

Në kërkim edhe përgjegjësi i OSHEE-së për Peqinin, për shpërdorim detyre.

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ushtruan kontroll në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj.

Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për kapjen e tyre.

Operacioni, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijon, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.