“Shqiptarët, “mish për top” nga bandat!”/ Mediat angleze: 10-20 paundë dita për drogën

Emigrantë ilegalë, që jetojnë nëpër streha azili e shtëpi fëmije në Angli, po shënjestrohen nga bandat kriminale, japin alarmin mediat vendase duke cituar burime të policisë.

Emigrantët, shumica e të cilëve mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar La Manshin me varka të vogla e gomone, po rekrutohen nga kriminelët për t’u përdorur më pas si mish për top prej tyre. Pjesa dërrmuese e klandestineve që kanë hyrë këtë vit nga kjo rrugë detare në Britaninë e Madhe, janë shqiptarë.

“The National” përcjell rezultatet e një hetimi mbi bandat, të cilat qëndrojnë pas rrjetit më të madh të falsifikimit në Britani, të drejtuar nga Mançesteri. Grupet, e lidhura gjithashtu me trafikun e njerëzve dhe lëndëve narkotike, besohet se janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e tregtisë së mallrave të falsifikuara në Mbretërinë e Bashkuar prej 8.6 miliardë £ në vit (10.57 miliardë dollarë).

Stephen Watson, shefi i policisë së Mançesterit, tha se bandat po shfrytëzonin emigrantët duke i përdorur për punë të paligjshme.

“Duhet të jemi të qartë se ka njerëz vulnerabël që bëhen më të cënueshëm, edhe pse ka nga ana tjetër edhe disa personazhe mjaft të dyshimtë që janë ‘rrënjosur’ mes krimit në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai për The Daily Telegraph.

Watson dhe ekipi i tij zbuluan se pjesëtarët e bandave po i paguajnë emigrantët, të rritur e fëmijë, 10-20 paundë në ditë që të veprojnë si vëzhgues dhe të lajmërojnë nëse shohin që po afrohen forcat e policisë. Këtë muaj u zbulua se dhjetëra fëmijë refugjatë janë zhdukur. Në Kent, ne juglindje te Anglise, u fol se fundi per zhdukjen e pothuajse një të pestës së të miturve emigrantë shqiptarë, apo gjithsej 39 fëmijë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.